Lajme

ATK me apel ndaj bizneseve: Mos bëni transaksione me biznese fiktive dhe jo-aktive

10/13/2021 11:52
nga:M K

Administrata Tatimore e Kosovës, ka njoftuar të gjitha bizneset, të cilat merren me aktivitete afariste për parandalimin e realizimit të transaksioneve me bizneset fiktive dhe ato jo-aktive, pasiqë ato nuk njihen nga ATK.

Përmes një postimi në Facebook ATK-ja ka shpjeguar se nuk do të njihen transaksionet e realizuara me bizneset fiktive dhe bizneset jo-aktive, përkatësisht shpenzimet në Deklaratën e Tatimit në të Ardhura, si dhe kërkesat për kreditim të zbritshëm në një deklaratë të TVSH-së.

Gjithashtu ATK paralajmëron se do të ndërmerren masat ndëshkuese konform legjislacionit tatimor për këto biznese që funksionojnë në mënyrë jo të rregullt.

“ATK, ju bën thirrje të gjitha bizneseve, që para se të hyjnë në transaksione afariste të bëjnë verifikimin e bizneseve jo-aktive, të cilat i gjeni në ueb faqe www.atk-ks.org në linkun http://www.atk-ks.org/non-active-taxpayers/” thuhet në njoftimin e ATK-së.

Sipas tyre, është detyrë e çdo tatimpaguesi që të respektoj dhe të zbatoj dispozitat e legjislacionit tatimor të aplikueshëm.

“Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju kontribuoni direkt në ofrimin e shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, shërbime më të mira shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore” përfundon njoftimi.