Lajme

ATK-ja mblodhi afërsisht 1 miliard euro të hyra këtë vit

12/27/2024 18:14
nga:Y I

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka bërë të ditur se të hyrat tatimore brenda këtij viti kanë kapur shifrat deri në 950 milionë euro, apo 100 milionë më shumë se vitin e kaluar.

Përveç të hyrave vjetore, Murtezaj tha se në 25 vjet prej kur është themeluar, kanë arritur që t’i mbledhin 8.3 miliardë euro.

“Përveç shumë rezultateve që u përmend në konferencë, drejtori i ATK-së z. Murtezaj tregoi që nga 28,173 aktivitete operacionale që janë realizuar, kanë rezultuar me mbi 5 milionë euro gjoba, si dhe nga mbi 10 mijë inspektime dhe kontrolla të përfunduara kanë dhënë 73.9 milionë euro tatime, ndëshkim dhe interes”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Tutje, Murtezaj tha se përmirësim të përmbushjes tatimore nga ana e këngëtarëve, për të cilët tha se nga 2.7 milionë që ishin në vitin 2023, këtë vit kanë deklaruar dhe paguar 3.2 milionë euro.

Ndërsa, sektori i gastronomisë dhe hotelerisë nga 27.1 milionë euro ka rritur deklarimin në 30.7 milionë euro, tha ai.