Lajme

ATK: Brenda vitit janë fiskalizuar mbi një mijë biznese

05/02/2024 12:40
nga:Sh R

Institucionet vendore kanë intensifikuar përpjekjet për ta luftuar ekonominë joformale në Kosovë. Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, brenda këtë vit janë fiskalizuar mbi një mijë biznese të reja ndërsa për mosfiskalizim janë shqiptuar gjoba në vlerë prej rreth 170 mijë euro. Por, sipas Odës Ekonomike Amerikane, bizneset jashtë qendrave urbane vazhdojnë të mos fiskalizohen.

Vërehet se ka shtim të përpjekjeve nga ana e institucioneve përgjegjëse, për luftimin e ekonomisë jo formale. Kështu konsideron kryetari i Odes Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka. Sipas tij, sfidë ende mbesin bizneset jashtë qendrave urbane të cilat vazhdojnë të mos fiskalizohen.

“Ka qenë kërkesë e Odes Amerikane që të bëhet më tepër për fiskalzimin e një numri të madh të bizneseve, kryesisht jashtë qendrave urbane të cilat mbesin të pa fiskalizuara dhe si të tilla natyrisht cenojnë edhe mbledhjen e tatimeve, meqenëse ndërpresin edhe zinxhirin e mbledhjes së tatimit mbi vlerën e shtuar, por edhe kryerjen e detyrimeve të tjera tatimore që burojnë nga ligjet e vendit. Duket sa ka një përgjigje për sa u përket këtyre kërkesave”, tha ai.

Megjithatë sipas Zekës, është pak shqetësues ndryshimi i fundit i Ligjit për Administrimin e Procedurave Tatimore.

Ai thotë se është goxha rigoroz në disa dispozita dhe se ekziston droja që megjithatë, ky ligj mund të përdoret edhe për ndëshkimin e bizneseve që janë të rregullta dhe përgjatë viteve kanë kryer detyrimet e tyre ligjore.

Administrata Tatimore e Kosovës, në anën tjetër, i ka thënë Radio Kosovës se “Nga janari deri në mars, janë fiskalizuar mbi 1 mijë biznese të reja. ATK-ja ka inspektuar rreth 500 biznese, ndërsa ka shqiptuar gjoba në vlerë prej mbi 170 mijë eurosh”.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se informaliteti në Kosovë, është në nivel të lartë. Ai tha se shifrat që janë dhënë nga ATK-ja, vërtetojnë se në Kosovë, shumë biznese dhe sektorë të tjerë të ndryshëm, nuk janë të fiskalizuar.

“Gjobat nuk po mund të bindin komunitetin e biznesit që të pajisen me arka fiskale. Po ashtu ATK-ja duhet të ndryshojë metodat duke filluar me fushatë trajnuese vetëdijesuese, në mënyrë që të pajisen me arka fiskale dhe këto arka të përdoren gjatë gjithë kohës e jo herë pas here siç ndodh në shumë sektorë siç janë: gastronomia, ndërtimtaria po ashtu edhe sektorë të bujqësisë”, tha Shahini.

Në vitin 2023, për mosfiskalizim, ATK-ja ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1.3 milion euro. Ndërsa, referuar vitit 2023, kanë qenë 3 mijë e 227 biznese të fiskalizuara me gjithsej 5 mijë e 353 pajisje elektronike fiskale.