Lajme

“Atë natë jam frikësuar të dal në rrugë”/ Krasniqi tregon dy momentet më të sikletshme në politikë: Aty kam menduar pse jam këtu

01/01/2024 17:49
nga:G B

Rrezarta Krasniqi, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për vitin që lamë pas, sukseset e sfidat.

Ajo thotë se viti 2023 s’ka qenë vit i mirë për Kosovën, s’ka qenë vit i suksesshëm.

“Sa i përket Kosovës s’ka qenë vit i mirë, i suksesshëm, kemi pasur shumë vrasje të grave, pastaj rasti i Banjskës, sulmi, ku humbi jetën një polic i Kosovës që ka qenë tepër e rëndë. Nuk ka qenë vit i suksesshëm”, thotë deputetja.

Krasniqi tregon vështirësitë që kanë qytetarët për ta kaluar muajin me pagat që janë në vend dhe ndihmën ndaj tyre.

“E di sa është e vështirë jeta me rrogat që janë në Kosovë, mundohem t’iu ndihmoj sa mundem”, shton ajo.

Deputetja e LDK-së ka folur edhe për raportet me deputetët e mazhorancës.

“Deputetët e mazhorancës shumë nuk i dinë qëllimet pse janë në politikë, të tjerë janë për interesa partiake. Nuk kam shoqëri, kam raporte kolegiale në përgjithësi. Në Komision për integrime ju kam ndihmuar shpesh për kalim të projektligjeve por s’janë aspak falënderues, shohin vetëm parti dhe nuk është mirë sepse kur ka tema të mëdha në Kuvend duhet të jemi bashkë”, potencon Rrezarta Krasniqi për Gazeta Blic.

Ajo ka folur edhe për situatat e sikletshme gjatë punës së deputete, teksa ka veçuar dy prej tyre.

“Ajo që më ka bërë të ndihem keq ka qenë kur kemi marrë mesazhe kërcënuese kur kemi votuar pro rrëzimit të Qeverisë, ku atë natë unë jam frikësuar edhe të dal në rrugë vet sepse kemi marrë shumë mesazhe e telefonata kërcënuese dhe së fundi kur ishte përleshja në Kuvend në mes të VV-së dhe PDK-së, aty për një moment kam menduar “pse jam këtu, vendi më demokratik dhe po ndodh kjo, pse unë jam në këtë mes”. Ajo ka qenë tepër shqetësuese”, deklaron ajo.