Sporti

Atdhe Nuhiu: Më mungon shumë Kosova, mund të arrijmë diçka të madhe, ndaj Qipros besoj në fitore

06/01/2022 17:28
nga:Lorik J

Kombëtarja e Kosovës në futboll nesër do të fillojë një cikël të ri, atë në Ligën e Kombeve të edicionin 2022/23.

Ndeshja e parë e “Dardanëve” në këtë kompeticion do të jetë ajo ndaj Qipros në udhëtim, që zhvillohet në stadiumin “AEK” nga ora 18:00, shkruan GazetaBlic Sport.

Ish sulmuesi i Kosovës, Atdhe Nuhiu, i cili ka luajtur edhe në kampionatin e Qipros, tek skuadra e APOEL, thotë se Kosova mund të arrijë rezultat të mirë në ballafaqimin e nesër, megjithatë potencon se kundërshtarët nuk janë aq të lehtë se sa po flitet.

“Besoj shumë tek Kosova që do të arrijë një rezultat të duhur, pra fitore. Kosova ka lojtarë që luajnë në liga më të mira, ka lojtarë më të mirë, por duhet të kenë kujdes sepse lojtarët e Qipros, sidomos teknikisht janë shumë më të mirë sesa mendojnë njerëzit. E di këtë, pasi e kam pa vet kur kam luajtur në Qipro, në ligë lojtarët janë shumë më të mirë se sa vlerësohen, sepse nuk i shikojnë shumë ndeshjet. Nuk bën të marrim lojën si të lehtë, sepse mund të befasohemi, por nëse Kosova është 100% e foksuar, jam i bindur që do të fitojmë ndeshjen”, tha fillimisht Atdhe Nuhiu për ‘GazetaBlic Sport’.

I pyetur nëse Kosova mund ta fitojë grupin dhe të arrijë diçka të madhe, Nuhiu tha se mund të arrihet diçka e tillë – por kundërshtarët si Greqia e Irlanda e Veriut janë kundërshtarë të rrezikshëm, por nëse luftojmë për njëri tjetrin, atëherë ka shanse për “Dardanët”.

“Normal që Kosova ka gjasa të arrijë diçka të madhe në këtë grup, megjithatë nuk është e lehtë, pasi aty janë edhe Greqia dhe Irlanda e Veriut. Me Greqinë më duket se nuk kemi pasur asnjë fitore, nuk është lehtë. Me Irlandën poashtu nuk do të jetë e lehtë, pasi kanë qenë në kompeticione të mëdha, ka lojtarë që luajnë në Premierligë – por unë besoj tek Kosova dhe nëse luftojnë njëri për tjetrin, luajnë qysh dinë me lujtë, gjasat janë të mëdha që të arrijmë diçka të shkëlqyeshme, por nuk është edhe aq e lehtë siç duket në letër. Kosovës i duhen përformanca jashtëzakonisht të mira në këtë grup”, vazhdoi ai.

Në fund, Nuhiu tha se po i mungon kombëtarja e Kosovës, por ai mbetet një fans i madh dhe do të jetë gjithmonë prapa djemëve si në momente të mira, ashtu edhe në momentet e këqija.

“Më mungon shumë Kosova, jo vetëm kur të luajnë, por edhe kur të grumbullohen djemtë, pasi kam qenë edhe unë pjesë e kombëtares për disa vite. Kosova e ka të ardhmen e madhe, i mbështes shumë kur të luajnë, jam fans ose “Dardan” i Kosovës, i urojë shumë suksese, mua më kanë aty në kohët e mira dhe në kohët e vështira”, përfundoi ai.

Kujtojmë se Atdhe Nuhiu është pensionuar nga kombëtarja e Kosovës me 21 maj të vitit 2021. Ai kishte luajtur 19 herë me kombëtaren e Kosovës, ku kishte realizuar 3 gola.

/GazetaBlic Sport/