Sporti

Astrit Hafizi për GazetaBlic Sport komenton derbin shqiptar mes Partizanit dhe Tiranës: “Të dy skuadrat po tregojnë formë jo-stabile”

03/06/2023 13:26
nga:E K

Sot zhvillohet një nga derbit më të zjarrtë të futbollit shqiptar.

Në Kategorinë Superiore të Shqipërisë, ballafaqohen sot dy skuadrat e kryeqytetit shqiptar, Partizani dhe Tirana, shkruan GazetaBlic Sport.

Derbi shqiptar gjithnjë ngjallë interesim të madh te futbolldashësit në të gjitha trojet shqiptare, ku dy skuadrat me rivalitet të vjetër sot synojnë vetëm fitoren.

Tirana dhe Partizani hyjnë në këtë takim nga humbjet në xhirot e kaluara nga Teuta respektivisht Kukësi.

Analisti i futbollit shqiptar, Astrit Hafizi për GazetaBlic Sport ka analizuar përballjet paraprake duke thënë se një parashikim për këtë duel është i vështirë duke parë edhe formën jo stabile të të dy skuadrave.

“Duke pas parasysh paraqitjet e skuadrave deri tani në kampionatin shqiptar, është e vështirë të jepet një parashikim për këtë duel. Pavarësisht pozicionimit të tyre në tabelë, forma e tyre nuk ka qenë shumë e mirë, kanë larguar lojtarë në merkaton e fundit, megjithatë ky është një derbi shumë i pritur nga të gjithë në opinionin publik, pasi vite me radhë ka qenë ndeshje interesante që ka prodhuar lojë të mirë, pa çka që këto lojët e fundit paraqitjet e skuadrave kanë qenë ndonjëherë me shumë tension duke tejkaluar normat. Shpresojmë që këtë herë të shohim lojë të bukur duke pas parasysh që një pjesë e lojtarëve janë të rinj”, tha fillimisht Hafizi për GazetaBlic Sport.

Hafizi komentoi edhe largimet e dy nga lojtarët kyç të Partizanit dhe Tiranës si Skuka dhe Xhixha.

“Partizanit iu largua Skuka, kurse Tiranës Xhixha që ishte lojtari kryesor që me Xhixhën Tirana kishte mundësi të ecte shumë përpara, por edhe Skuka kohët e fundit la gjurmë të mira në futbollin tonë. Vështirësit qëndrojnë te dy skuadrat, duke e parë Partizanin edhe në ndeshjen ndaj Vllaznisë, u duk një skuadër shumë e shpërftyruar. Megjithatë derbi mbetet derbi, koha ka treguar se pavarësisht se nëse njëra ose tjetra kanë qenë në vendet e fundit kanë treguar momente surprizë duke fituar skuadra që ishte e fundit apo anasjelltas. Mendoj që të dy skuadrat janë të paparashikueshme kur vie puna të përballen njëra me tjetrën”, shtoi Hafizi.

Liga elitare në Shqipëri po prodhon një garë të ngushtë duke bërë që skuadra e vendit të katërt si Vllaznia të ketë vetëm 5 pikë më pak se lideri Tirana dhe dy më pak se Partizani që zë vendin e 3’të. Për këtë komentoi Astrit Hafizi.

“Diferenca me skuadrat e mesit të tabelës dhe liderit është 7 pikë, aty aty janë me pikë. Dallimi është shumë i vogël. Një kampionat shumë interesant që nuk di si t’ia vë emrin duke qenë se nuk ka prodhuar shumë cilësi në kohët e fundit, skuadra e fundit mund ta mposht skuadrën e vendit të parë dhe kjo nuk prodhon më habi”, përfundoi Hafizi.

/GazetaBlic Sport/