Lajme

Asociacioni kusht për në KiE?/ Deputeti i VV-së: Në raportin për Kosovën nuk është kjo çështje

04/25/2024 22:19
nga:Sh R

Pas votimit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, ka mbetur dhe një hap, votimi edhe në Këshillin e Ministrave.

E, për këtë hap ndonëse ende s’ka kushte të reja, Franca përmendi Asociacionin, duke e lidhur me të.

Ishte presidenti Macron që në bisedën e tij telefonike me kryeministrin Kurti, e tha këtë.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Agon Batusha, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se votimi bëhet në bazë të raportit të dorëzuar.

Sipas tij, në raportin për Kosovën nuk është çështja e asociacionit, dhe beson që nuk do të ndryshojë diçka në mbledhjen e ardhshme pos që do të votohet në favor të pranimit të Kosovës.

“Votimi bëhet në bazë të Raportit të dorëzuar, pra çka shkruan në Raport. Në Raportin për Kosovën nuk është çështja e Asociacionit, rrjedhimisht nuk besoj që do të ndryshoj diçka në mbledhjen e ardhshme, pos që do të votohet në favor të pranimit të Kosovës”, tha Batusha për GazetaBlic.