Deputeti i VV’së, Enver Dugolli në Blic Inteview me Astrit Gashin thotë se tashmë është vërtetuar arsyeja pse presidenti serb, Aleksandër Vuçiq këmbëngulte aq shumë në Asociacion.
Dugolli thotë se Vuçiqi dëshiron ta vë në krye të Asociacionit, Milan Radojçiqin.
“Kur të merr epilog kjo çka ndodhi më 24 shtator, që duhet të jetë me një masa kogja të ashpër ndaj Serbisë atëherë, Kosova nuk e ka kundërshtuar kurrë dialogun, por ajo çka duhet përfundimisht t’i kërkohet Serbisë nga miqtë tanë, a është e interesuar që të normalizojë raportet me Kosovën apo jo”, tha Dugolli.
“Tek çështja e Asociacionit, ne tash e pamë për çka e kanë kërkuar atë. Do të thotë që në krye të Asociacionit ta kenë Radojçiqin. Njerëz të sanksionuar nga Amerika, njerëz me të kaluar kriminale, Pablo Esocobari i Ballkanit”, shtoi ai.
Dugolli tha se Asociacioni si i tillë ka marrë fund, teksa komentoi edhe deklaratën e fundit të presidentes Osmani në lidhje me këtë çështje.
“Asociacioni si i tillë ka marrë fund sepse si i tillë nuk ka qenë kurrë kërkesë e qytetarëve serb, ata janë të interesuar që të kenë paqe dhe stabilitet. Unë po mendojë që presidentja ka thënë në kuptimin e asaj, që SHBA-të e kanë kundërshtuar një Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe kjo është shumë me rëndësi. Por, Vuçiq e ka thënë dhe nuk është i interesuar që të ecet më tutje sa i përket kësaj teme”, tha Dugolli.
“Ai don territor, Asociacionin e dëshiron kundër shtetit të Kosovës dhe ne nuk jemi këtu që t’i plotësojmë dëshirat dhe kushtet e Serbisë”, tha Dugolli.
Dugolli thotë se arsyeja pse Policia e Kosovës kreu një operacion të suksesshëm është mbështetja që po e marrin nga Qeveria e Kosovës.
“Ne sot kishim një propozim, që nëse dëshirojnë të krijojnë ligje të mira për Policinë e Kosovës atëherë nuk është mënyrë e duhur një rezolutë. Ne jemi duke punuar për t’ia përmisuar kushtete, ka investime të jashtëzakonshme në pajisje, armatim dhe në infrastrukturë për Policinë e Kosovës”, tha Dugolli.
“Mos të ishin këto mbështetje që Qeveria e Kosovës ia ka dhënë Policëve, nuk do të ishte i suksesshëm as operacioni që është zhvilluar”, shtoi ai në Blic Interview.


