Lajme

Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale: Haxhiu t’i përmbushë obligimet e jo të sulmojë!

09/09/2023 18:54
nga:Y I

Reagimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për ndalimin e një zyrtareje të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, ka nxitur reagimin e Asociacionit të Qendrave për Punë Sociale.

Ky asociacion ka thënë është shqetësuar nga “deklaratat dhe presioni politik dhe ndërhyrjet nga Ministria e Drejtësisë”.

Të premten, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi për ndalimin e dy zyrtarëve të QPS-së nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare. Të dy zyrtarët, me inicialet V.M., sipas njoftimit të Prokurorisë, dyshohet kanë punësuar rreth 10 persona në mënyrë të kundërligjshme dhe se njërin nga këta persona e kanë punësuar si menaxhere për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, “përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm”.

Pak orë pas njoftimit të Prokurorisë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkruar në Facebook se më 13 korrik kishte njoftuar personat përgjegjës se personi i caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, “nuk ishte i licencuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë”.

“Vlerësoj trajtimin serioz të këtij rasti, nga ana e policisë dhe prokurorisë. Çdo zyrtar publik sikurse edhe ne, e kemi për obligim zbatimin e përgjegjësive sipas legjislacionit në fuqi dhe sidomos në rastet kur bëhet fjalë për fëmijë të mitur. Qendrat për punë sociale do ta kenë mbështetjen tonë por assesi shkeljet nuk do t’i tolerojmë”, ka shkruar të premten Haxhiu.

Në një reagim të shtunën, Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale ka thënë se qasja e Haxhiut “mund të jetë precedent i rrezikshëm për të ardhmen e punës profesionale të punonjësve profesional të shërbimeve sociale dhe të QPS-ve”.

Asociacioni ka kërkuar nga mekanizmat e drejtësisë trajtimin në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje të rastit të ndalimit të zyrtarëve të QPS-së në Prishtinë.

Asociacioni tutje ka paraqitur sfidat me të cilat përballen QPS-të duke akuzuar ministren Haxhiu se “duhet të kujdeset për përmbushjen e obligimeve të saj karshi përgjegjësive që ka e jo të merret e të atakojë individë e QPS-të në formë të tilla”.

Asociacioni i QPS-ve ka thënë se deklaratat e Haxhiut janë përcjellë me linçime e kërcënime ndaj zyrtarëve.

Reagimi i plotë: