Asosciacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka mirëpritur vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila hodhi poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit të mësimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.
Gjykata ka theksuar se MASHTI-i përmes vendimit “ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore”.
“Komunat e Kosovës, në funksion të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të veta, kanë hasur dhe po hasin në shumë raste me ndërhyrjen e Qeverisë, më saktë ministrive, në kompetencat e komunave edhe pse të njëjtat janë paraparë shumë qartë në Kushtetutë, akte ligjore dhe nënligjore. Dhe këto ndërhyrje po bëhen pa konsulta me komunat”, u theksua në reagim.
Më tutje u theksua se AKK e ka diskutuar edhe në të kaluarën dhe ka shpresuar që disa nga ministritë do ta ndryshojnë qasjen por kjo nuk po ndodhë.
“Ndërhyrja në kompetenca të komunave po vazhdon. Autonomia Lokale e përcaktuar me Kartën Evropiane për Pushtet Lokal nuk po respektohet. Kjo ndërhyrje në kompetencat e komunave u vërtetua edhe me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese ndaj ndërhyrjes së Ministrisë së Arsimit në kompetencat e komunës së Kamenicës.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në të cilin konstatohet se MASHTI ka tejkaluar kompetencat e saja dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat e komunës së Kamenicës, e konfirmon atë që ne vazhdimisht e kemi thënë se sistemi ynë kushtetues dhe ligjor, është më se i qartë sa i përket funksionimit dhe raporteve ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror.
Prandaj, ne si AKK e përshëndesim vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe shpresojmë që ministritë e linjës do të marrin mësim nga përfundimi i rastit të MASHTI dhe më nuk do të ndërhyjnë në kompetencat e komunave në Republikën e Kosovës”, u theksua në reagim.


