Lajme

Asociacioni dorëzon padi ndaj MASHTI-t dhe MSH-së, dëmi ndaj komunave rreth 35 milionë euro

08/23/2022 11:01
nga:G B

Asociacioni i Komunave të Kosovës, të martën ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknoligjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Ministrisë së Shëndetësisë (MSH).

Asociacioni pretendon se dëmi që është shkaktuar në zbatimin e kontratave kolektive ndaj komunave sillet rreth 35 milionë euro.

Meqenëse pretendojnë se zbatimi i kontratave kolektive ka prekur buxhetin e komunave, këto të fundit kërkojnë që shuma e lartpërmendur t’iu kthehet atyre, për investime në drejtimet e planifikuara.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se komunat kanë dorëzuar padi ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknoligjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), lidhur me çështjen e kontratave kolektive, pasi vlerësohet se dëmi që iu shkaktua komunave është rreth 35 milionë euro.

Sipas tij, qëllimi i komunave është që këto mjete financiare t’iu kthehen atyre, për t’i zbatuar në projekte kapitale, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar, Komunat e Republikës së Kosovës deponojnë paditë sa i përket çështjes së kontratave kolektive ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë, ku vlera në bazë të vlerësimeve nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, tejkalon mbi 35 milionë euro. Qëllimi kryesor i komunave është që këto mjete financiare të kthehen në buxhetet komunale, në mënyrë që këto mjete financiare të gjejnë zbatim në shumë projekte kapitale, të cilat shkojnë në të mirën e qytetarëve”, tha Ibrahimi.

Gjatë prononcimit para medieve, Ibrahimi tha se mjetet në fjalë janë marrë padrejtësisht, ngase niveli lokal nuk ka qenë nënshkrues i kontratave kolektive.

“Komunat një nga një do të dorëzojnë paditë. Demi vlerësohet gjatë këtyre viteve rreth 35 milionë euro. Mjetet janë marrë padrejtësisht, se niveli lokal s’ka qenë nënshkruese e kontratave kolektive, këto mjete kanë qenë të planifikuara për projekte komunal. Sipas informacionit, mbi 26 komuna janë duke dorëzuar padi”, përfundoi ai.