Lajme

Asociacioni dhe 6 kushtet e Kurtit/ Deputetja e Guxo: Nuk mund të jemi pjesë e aventurave që e dëmtojnë shtetin

02/15/2023 18:51
nga:G B

Deputetja e Listës Guxo në Kuvendin e Kosovës, Jeta Statovci, në një intervistë për Gazeta Blic ka folur për dyvjetorin e Qeverisë Kurti, pranimin e planit franko-gjerman, asociacionin, kushtet e vendosura nga kryeministri Kurti e ligjin e pagave.

Ajo thotë se nuk do të ketë asociacion një-etnik dhe se Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e aventurave që e dëmtojnë shtetin dhe se nuk bën të formohen mekanizma bëhen autoritete paralele dhe që varësinë e kanë nga Beogradi.

“Pala kosovare ka pasur gatishmëri për planin franko-gjerman, derisa këtë nuk e kemi parë nga pala e kundërt, ku ka tentuar që të bëjë inskenime për shkak të këtij plani, me barrikada, targa, e gjitha nën idenë që të refuzohet një plan i tillë dhe kanë pasur një qëndrim zyrtar karshi mohimit të këtij plani. Plani ësht i përgjithshëm dhe siç ka thënë edhe kryeministri, është bazë e mirë për të vazhduar, ku nga ajo e përgjithshmja të vazhdohet në konkretizim të hapave”, thotë ajo.

Por, Statovci thotë se në këtë plan ka edhe elemente që duhet diskutuar.

“Ne padyshim që çështjen e njohjes reciproke e shohim si zgjidhje që e mbyll këtë problematikë, çfarëdo çështje tjetër këtë do ta linte hapur dhe kemi qenë insistues edhe përmes 6 pikëshit të kryeministrit se çfarëdo kërkese që vjen nga pala tjetër, fillimisht të njohët tërësia, sepse nëse kërkon diçka, duhet që fillimisht ta njohësh tërësinë”, thekson deputetja për Gazeta Blic.

Sa i përket ndryshimit të qëndrimeve të Kurtit për asociacionin, ajo thotë se e kaluara nuk mund të ndryshohet por e ardhmja mund të ndërtohet.

“Ne kemi gjëra që janë trashëguar nga e kaluara. Në kuadër të asaj që kemi trashëguar dhe çka synojmë të bëjmë, ekziston një mes ku edhe kemi treguar limitet tona të cilat janë kushtet, e këto kushte janë se sa mund të diskutohet. 6 pikëshi i Kryeministrit është ruajtje e frymës kushtetuese ”, deklaron deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci.

Sa i përket koeficientit të ligjit të pagave për çka ka pasur ankesa të shumta te Avokati i Popullit që ato të dërgohen në Kushtetuese, deputetja Statovci thotë se ky ligj ka për bazë interesin qytetar dhe shpreson që kjo nuk do të shkojë drejt një pezullimi, pasi thotë se synojnë që të prodhojnë një efekt ekonomik që i ndihmon gjendjes ekonomike qytetarë sa më parë.

Ndërsa, lidhur me propozimet për koeficient nga opozita, ajo thotë se është e befasuar nga ato pasi nuk është lehtë të prezantosh çfarëdo numri por cilat qëndrojnë argumentet prapa, teksa shton se lëvizje të pagave nuk ka pasur që nga viti 2013 dhe për këtë qeverisja e atëhershme që është opozita e tanishme nuk ka pasur vullnet./Gazeta Blic/