Lajme

“Asnjë parti s’po guxon ta marrë ‘pataten e nxehtë’”| Ky është propozimi i Fatmir Shehollit për zgjidhjen e çështjes së Asociacionit

05/28/2024 14:48
nga:G B

Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se Kosova duhet ta kryejë çështjen e Asociacionit, pasi për këtë janë zotuar krerët e shtetit.

“Ne mund të flasim vetëm ato që i kemi parë. E kemi parë që krerët e vendit me nënshkrime janë zotuar që këtë çështje do ta kryejnë dhe kur e jep nënshkrimin dhe i thua BE-së se ne po zotohemi që këtë çështje ta kryejmë, duhet të kryhet sepse përndryshe është e palogjikshme të bësh një dokument ku ti e nënshkruan, ia dërgon bashkësisë evropiane dhe pastaj nuk e kryen, kjo i bjen që po luan matrakuka me BE-në. Kjo formë e mos koordinimit me ta por edhe gënjeshtrës, atëherë i bie që nuk je duke përfillur fare BE-në, i bie që dëshiron ta vënë në lajthitje, ndryshe nuk është”, shprehet ai.

Sheholli vlerëson se pasi qeveria s’po ka guxim që ta kryejë Asociacionin, duhet të bëhet një qeveri e unitetit derisa të përmbyllet kjo çështje.

“Prandaj, duhet këtë çështje ta kryejë kjo qeveri, e ka marrë vullnetin e popullit por po e shohim që s’po guxon ta kryejë dhe do të ishte mirë që të kemi një qeveri të unitetit kombëtar derisa kjo çështje të kryhet krejt. Pra, partitë politike shqiptare të jenë pjesë e qeverisë së unitetit, derisa të kryhet çështja e Asociacionit duke e pasur parasysh që askush s’po guxon ta marrë këtë patate të nxehtë në dorë”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Kjo, sipas tij, duhet të bëhet për një periudhë dy vjeçare që partitë mos t’ia hedhin fajin njëra tjetrës dhe më pas të shkohet në zgjedhje.

“Derisa po pohoj që duhet të kemi një qeveri të unitetit së paku për dy vite, derisa të formohet kjo, është mirë që të gjitha partitë politike të jenë pjesë e qeverisë, ta kalojnë me unitet, siç dikur i kalonte presidenti historik Ibrahim Rugova dhe ta kalojnë bashkë të gjitha partitë e mos të jetë faji i njërës apo tjetrës parti, por me një unitet të të gjitha partive të kryhet kjo çështje dhe pastaj të shkohet në zgjedhje e t’i shohim plan-programet e të gjithave”, potencon Sheholli.

Ai shton se nëse nuk ndodhë kjo, do të ketë terme të tilla ndaj njëra tjetrës që kanë bërë tradhti e janë bërë me Serbinë.

“Nëse nuk ndodh kjo, atëherë do të kemi terme të tilla edhe në të ardhmen një pjesë do ta quajë e tradhtuat Kosovën, kurse pjesa tjetër thotë ne i plotësuam kushtet sepse ndryshe s’mund të futemi në BE, duke pasur parasysh që KiE nuk na pranoi vetëm për këtë çështje, pra do të kemi terminologji dhe deklarata të tradhtisë, “ti je me Serbinë”, “ti je me Vuçiqin”, “ti je kundër këtij, atij…”, dhe do të jemi dëshmitarë të kësaj. Besoj se uniteti do ta kryente këtë çështje më së miri dhe ta tejkalojmë shumë lehtë si shoqëri dhe besoj që edhe bota civilizuese demokratike do të na pranojë shumë më lehtë”, deklaron Fatmir Sheholli./Gazeta Blic/