Janë gjetur të vdekur të gjithë personat – nëntë – , që ndodheshin në aeroplanin e rrëzuar afër qytetit Orebro të Suedisë, bëri të ditur policia e këtij shtetit.
“Është një aksident shumë i rëndë. Të gjithë që ndodheshin brenda aeroplanit kanë vdekur”, thuhet në uebfaqen e policisë suedeze, shkruan Reuters.
Autoritetet thanë se në aeroplanin e vogël, të tipit DHC-2 Turbo Beaver, ndodheshin tetë parashutistë dhe një pilot. Aeroplani u rrëzua afër pistës në aeroportin e qytetit Orebro pak kohë pas ngritjes në qiell. Pas rrëzimit, aeroplani u kaplua nga zjarri.
Për këtë tragjedi u deklarua Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven. “Me pikëllim dhe dhimbje të madhe e mora informatën tragjike për rrëzimin e aeroplanit në Orebro. Mendimet e mia janë me viktimat, familjet dhe të dashurit e tyre në këtë kohë të vështirë”, tha ai.
Një aksident i ngjashëm kishte ndodhur në Suedi edhe në vitin 2019. Nëntë persona kishin mbetur të vdekur, kur një aeroplan me parashutistë ishte rrëzuar pak minuta pas ngritjes në qiell. Hetimet treguan se aeroplani ishte ngarkuar në mënyrë të gabuar.