Lajme

‘Asnjë cent më shumë’, – Paralajmërimet për rritjen e çmimit të rrymës shqetësuese, nisma jonë ka qëllim mobilizimin e qytetarëve

03/20/2025 16:19
nga:Y I

Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë (ZRRE) ka njoftuar ditë më parë se ka propozuar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind muajin e ardhshëm.

Në lidhje me këtë çështje ka patur reagime të shumta nga qytetarët, shoqëria civile e më gjerë.

Për të kundërshtuar një hap të tillë, një grup i aktivistëve të shoqërisë civile kanë krijuar nismën ‘Asnjë cent më shumë’.

Një nismë e tillë ka për qëllim të shpërndarë sa më shumë informata tek qytetarët, fillimisht tek ata të cilët janë prezent në rrjetet sociale duke iu shpjeguar për pasojat që do të sjellë nëse merret një vendim i tillë nga ZRrE.

Në lidhje me këtë nismë ka folur më gjerësisht për “Gazeta Blic”, themeluesi i saj, Luan Hasanaj.

“Po si qytetar që jetojmë në këtë vend sigurisht që e kemi parë me shumë shqetësim paralajmërimet për rritjen e çmimit të rrymës, duke i ditur edhe kushtet socio-ekonomike me të cilat përballet shoqëria jonë. Tanimë kemi edhe këtë rritje të proklamuar të çmimit të energjisë, e cila do të pasohet mandej me zingjir të rritjes në çdo sektor tjetër. Vërtet është shqetësuese dhe bazuar në këtë ne nuk kemi mundur të qëndrojmë indiferent dhe kemi provuar të reagojmë për ta kundërshtuar këtë vendim të dëmshëm”

‘Asnjë cent më shumë’ është një nismë e cila është organizuar prej një grupi të aktivistëve të shoqërisë civile të cilët veprojnë në Kosovë. Fillimisht është themeluar një grup në rrjetin social ‘Facebook’ ku përmes tij po provojmë që të shpërndajmë sa më shumë informata tek qytetarët, fillimisht tek ata të cilët janë prezent në rrjetet sociale dhe dihet që janë një numëri madh, duke iu shpjeguar të gjithëve për pasojat që do të sjellë nëse një vendim i tillë vetëm merret prej anës së ZRrE.Në anën tjetër për të bërë një mobilizim i cili rritet, bën përfshirje të sa më shumë qytetarëve, sa më shumë grupeve të interesit për t’a sfiduar këtë vendim dhe për të kërkuar që mos të merret në këtë kohë” tha Hasanaj në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.