Sporti

Asllani tha se dëshiron të dëshmohet tek Inter, gazetari italian: Kristjani ka talent të jashtëzakonshëm, por ka konkurrencë të fortë

10/13/2023 19:34
nga:Mergim Rreci

Kristjan Asllani komentoi konkurrencën e tij me Hakan Calhanoglu dhe dëshirën për të ‘luftuar deri në fund’ për të dëshmuar veten te Interi.

Mesfushori shqiptar 21-vjeçar iu bashkua Nerazzurrëve nga Empoli në verën e vitit 2022, duke mbërritur në formë huazimi përpara se të bënte një lëvizje të përhershme një vit më vonë.

Asllani ka luftuar për një kohë të qëndrueshme loje që nga transferimi i tij në Inter. Në fushatën e tij debutuese, ai kishte 858 minuta aksion në 29 ndeshje, dhe këtë sezon ai ka luajtur vetëm 126 minuta në gjashtë ndeshje, por që shkëlqeu me paraqitjet me kombëtaren e Shqipërisë.

Duke folur pas ndeshjes me Çekinë, Asllani tha se do të luftojë fuqishëm që të dëshmohet te Interi dhe se e bën më të mirë kur ka minuta në dispozicion.

Gazetari i njohur dhe i afër me skuadrën e Interit, Daniele Najjar tha për ‘GazetaBlic Sport’ se Asllani ka talent të jashtëzakonshëm, por që fatkeqësisht e ka në konkurrencë Calhanoglun, i cili sot është një nga interpretuesit më të mirë në Evropë në atë rol.

“Nuk është e lehtë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Dy gjëra duhen thënë. E para: Asllani ka një talent të jashtëzakonshëm. Dhe nëse më pyesni se çfarë mendoj për të, ai është një lojtar me teknikë dhe vizion fantastik të lojës dhe do të doja që ai të përshtatej te Interi. Nga ana tjetër, megjithatë, siç tha edhe ai, përballë ka Calhanoglun, i cili sot është një nga interpretuesit më të mirë në Evropë në atë rol.Nuk është e thjeshtë, atëherë”, tha fillimisht Najjar.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Kristjan Asllani (@kristjanasllani)

Ka edhe një gjë tjetër për të thënë që për mendimin tim është ndryshe nga viti i kaluar: duket qartë se Interi këtë vit donte t’i dërgonte atij një mesazh besimi dhe përgjegjësie më shumë se vitin e kaluar. Sepse pas shitjes së Brozovicit e mbajtën në skuadër për t’i dhënë më shumë hapësirë. Dhe në fakt ai mundi të startonte në ndeshjen e Champions League kundër Real Sociedad, për më tepër Ausilio foli mirë për të, madje dje ishte i pranishëm në ndeshjen e Shqipërisë për ta parë edhe atë. Interi ka besim tek ai, edhe pse nuk e ka të lehtë të bindë trajnerin për faktin se Interi ka një nga grup me mesfushorët më të fortë në botë. Vetëm mendoni se në pankinë, përveç tij, ka lojtarë si Frattesi dhe Sensi (të frenuar nga lëndimet, por lojtar i rëndësishëm për Interin vetëm pak vite më parë) dhe Klaasen“, përfundoi Najjar.

/GazetaBlic Sport/