Ekziston një shprehje “çil e mbyll”.
Të tilla duken vlerësimet për Kristian Asllanin nga mediat italiane, ndonëse kritika e fundit mund të quhet serioze.
Nuk është gjë e vogël kur e përditshmja më e madhe sportive në Apenine, “La Gazeta delo Sport” nxjerr një përfundim të rëndësishëm sipas së cilit, shqiptari nuk po rritet siç duhet dhe se Interi duhet të gjejë një tjetër alternativë për Hakan Çalhanoglunë.
Këto “shuplaka” erdhën pas barazimit 2-2 në Serinë A ndaj Bolonjës, në sfidën e luajtur në “San Siro”, ku Asllani ishte titullar dhe u mbajt në fushë për 70 minuta.
Siç kemi informuar më parë, mesfushori 22-vjeçar mori një notë të ulët, dhe u cilësua si më i dobëti ndër lojtarët zikaltër në fushë.
Trajneri Simone Inzagi nuk është se ka bërë kritika, përkundrazi ai ka shprehur besimin dhe vlerësimin për shqiptarin.
Sidomos pas fitores 1-0 në Venecia, në ndeshjen e kaluar të kampionatit, Asllani mori lavdërime duke krijuar golin, e duke luftuar fort.
Ende nuk është plotësisht e qartë se çfarë i mungon yllit kuqezi, i cili në të kundërt ka qenë titullar I padiskutueshëm në kombëtare në ndeshjet e Ligës së Kombeve, duke luajtur 100 për qind të minutave e duke shënuar një gol të rëndësishëm në Gjeorgji.
Gjithsesi, tek Interi ai mund të zgjidhet sërish për të qenë në fushë, sepse Çalhanoglu mbetet I dëmtuar, e do të duhet të tregojë veten në ndeshjet e radhës, ndaj Empolit në “San Siro” në Serinë A këtë të diel në mbrëmje, dhe në Champions të mërkurën e 22 janarit në fushën e Spartës së Pragës, kur Asllani do të jetë përballë shokëve të tij të kombëtares, Qazim Laçi dhe Indrit Tuci.