Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit, për muajin gusht 2021, ku thuhet se inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 1.2% në muajin gusht 2021, krahasuar me muajin korrik 2021.
Sipas ASK-së, kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it bukë dhe drithëra 0.4%; mish 1.1%; qumësht, djathë dhe vezë 3.7%; perime 9.4%; pije alkoolike 1.0%; lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj., 2.7%; mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje 1.7%; blerje e automjeteve 0.3%; karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal 2.6%; shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit 9.9%; shërbime për transport 9.0% – ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.2 për qind në IHÇK.
“Po ashtu, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin gusht 2021 me muajin gusht 2020 ishte më e lartë në një mesatare prej 4.7%. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra 1.9%; mish 0.9%; qumësht, djathë dhe vezë 7.4%; vajra dhe yndyra ushqimore 28.5%; perime 21.3%; pije alkoolike 4.4%; duhan 2.7%; gaz 10.4%; lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. 8.9%; mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje 2.8%; pajisje shtëpiake 3.9%; vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht 2.2%; blerje e automjeteve 1.2%; pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal 1.6%; karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal 26.2%; mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit 6.6%; shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit 9.9%; shërbime për transport 4.4% – (ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror), shërbimet telefonike dhe të telefaksit 20.3%; pajisjet audio-vizuele, fotografike për përpunim i informatave 3.1%; pushime të organizuara turistike 15.2%; shërbime hoteliere 0.8%; shërbime financiare 4.2%; me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 4.8 për qind në IHÇK”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupi i COICOP-it: pemë -5.5% me një ndikim të këtij nëngrupi prej -0.1 për qind në IHÇK.