Agjencitë policore evropiane kanë arrestuar rreth 40 persona në kuadër të një operacioni disavjeçar për asgjësimin e një rrjeti madhor të trafikut të drogës, duke sekuestruar 8 tonelata kokainë, prona dhe shuma të mëdha parash.
Lajmin e ka bërë të ditur Europol, duke nënvizuar se liderët e rrjetit, që funksiononte si një kartel, ndodheshin në Turqi dhe Dubai.
“Rrjeti kishte kapacitete për transportin e tonelatave kokainë në të gjithë botën”, deklaroi Oscar Esteban Remacha, shef i seksionit të anti-drogës në Gardën Civile Spanjolle.
Autoritetet policore shtojnë se faza përfundimtare e operacionit nisi në gusht të vitit 2023, kur oficerët spanjollë zbuluan 1.5 tonë kokainë në një anije në ishujt Kanarie.
Një pjesë e mirë e 40 të arrestuarve ishin nga vendet e Ballkanit, edhe pse kombësia e tyre nuk është bërë e ditur.
Anëtarët e grupit u arrestuan në 6 shtete dhe mes tyre janë edhe dy liderët kroatë të rrjetit, që u arrestuan në Stamboll.
“Ky është një nga operacionet më të mëdha ndaj karteleve ballkanase. Nga hetimet që kemi zhvilluar rezulton se ato kontrollojnë gjysmën e kokainës që furnizon tregun evropian”, deklaroi Tomisllav Stambuk, oficer i policisë kroate.
Gjithashtu, autoritetet denoncuan rritjen e dhunës së lidhur me trafikun e drogës në Evropë, me atentate me eksploziv dhe vrasje me armë zjarri, të cilat po ndodhin çdo ditë dhe kanë marrë përmasa shqetësuese.
/Euronews Albania/