Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se janë asgjësuar mbi 19 mijë kilogramë mish pule nga kompania “Apetit”.
Në njoftimin e AUV thuhet se është konstatuar prania e bakterit Salmonella.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njofton opinionin publik se, me kërkesë të kompanisë APETIT dhe në kuadër të kontrollit zyrtar të realizuar nga inspektorët e AUV-së, në një ngarkesë të mishit të pulës të importuar nga Polonia, nga kompania APETIT Sh.p.k., Vushtrri, është konstatuar prania e bakterit Salmonella spp”.
“Menjëherë pas konstatimit të këtij rasti, sasia e përgjithshme prej 19,200 kg mish pule është asgjësuar, në përputhje të plotë me procedurat ligjore në fuqi dhe standardet e sigurisë ushqimore. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vazhdon të monitorojë situatën me vëmendje të shtuar dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me operatorët ekonomikë që merren me importin e mishit, me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të rasteve të ngjashme”, thuhet në njoftim.


