Jasir Asani e di mirë si i shënohet Polonisë. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka besim se kuqezinjtë do t’ia dalin në sfidën e “Play Off”-it në Varshavë, e vlefshme për Botërorin e këtij viti.
“Kur bën gol ndaj një kombëtareje siç është Polonia, nuk harrohet. Do ta bëjmë maksimumin, dhe do Zoti dhe një gol. Polonia ka lojtarë shumë të mirë, por dhe ne kemi lojtarë shumë të mirë që luajnë nëpër botë”.
Në një intervistë për FSHF-tv, Asani tregon edhe planin e tij stërvitor pas largimit nga Irani për shkak të pezullimit të kampionatit prej luftës.
“Kam biseduar dhe thashë do të kthehem në Shqipëri dhe do të vazhdoj stërvitjen me Partizanin”.
Kur kanë mbetur edhe dy javë nga dueli vendimtar kundër Polonisë, trajneri Sylvinho ka marrë lajme pozitive nga Anglia. Armando Broja është rikthyer në stërvitje të plotë me skuadrën e Burnley-t dhe do të jetë gati për grumbullimin.
Por nga Turqia raportojnë se Rei Manaj ka një shqetësim muskulor, dhe kjo ishte arsyeja pse humbi ndeshjen e fundit të Sivasporit. Megjithatë, nuk bëhet me dije sa kohë i duhet për t’u rikuperuar.


