Asambleisti i LDK-së në Komunën e Prishtinës, Fisnik Osmani, është zgjedhur Kryeshef Ekzekutiv të NP “Termokos” SH.A, raporton Gazeta Blic.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të Termokos në faqen zyrtare, me datë 9 shtator.
Osmani është zgjedhur asambleist i LDK-së në zgjedhjet e fundit.
Lidhur me këtë, Gazeta Blic ka tentuar të marrë një përgjigje nga nënkryetari i Prishtinës nga LDK, Alban Zogaj, por ai ka thënë se kjo nuk lidhet me detyrën e tij.
Njoftimi i plotë i Termokos:
Pas realizimit të të gjitha procedurave rekrutuese të përcaktuara me ligjet në fuqi, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të NP “Termokos” SH.A. në bashkëpunim me Projektin e Ambasadës Britanike për asistim/bashkëpunim për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese, ka përzgjedhur Fisnik Osmanin Kryeshef Ekzekutiv të NP “Termokos” SH.A.
Në konkursin për Kryeshef Ekzekutiv të NP “Termokos” të shpallur më 07.07.2022 në mediet vendore dhe në ueb faqen zyrtare të ndërmarrjes, kanë aplikuar gjithsej 12 kandidatë.
Pas realizimit të procedurave të përzgjedhjes (vlerësimit të dokumentacionit dhe intervistimit/poentimit), bazuar në vlerësimin e realizuar veçmas dhe të pavarur si nga Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve, ashtu edhe nga ekipi i Ambasadës Britanike, kandidati Fisnik Osmani ka arritur rezultatin më të mirë poentues nga të gjithë kandidatët.