Në Klinikën Infektive në QKUK janë duke u trajtuar 118 pacientë me COVID-19, ku prej tyre 105 janë në gjendje të rëndë e me oksigjeno-terapi.
Drejtori i kësaj klinike Arben Vishaj ka thënë se 6 pacientë janë në intensiv.
Vishaj ka bërë të ditur se kapacitet e klinikës janë të mbushura dhe se pacientët po i referojnë në pjesë të tjera të spitaleve Covid.
“Në Klinikën Infektive janë 118 pacientë prej tyre në gjendje të rëndë janë 105 duke u trajtuar me oksigjeno-terapi dhe 6 pacientë janë në intensivë. Kapacitetet e Klinikës Infektive janë të mbushura dhe pacientët që vijnë tani i referojmë në pjesë të tjera të spitaleve Covid në kuadër të QKUK’së”, ka thënë ai për EO.
Ai sqaroi se 99% e rasteve janë të infektuar me varantin Delta, duke shtuar se kjo tregon se sa i rrezikshëm është ky variant.
“Aktualisht kemi filluar të bëjmë hapjen e mjekimit intensiv në Klinikën Infektive pra një repart i cili ka qenë për pacientë të Klinikës Infektive. Tash kemi filluar procedurat që të pranojmë pacientë që janë në gjendje kritike me 12 respiratorë dhe shpresojmë që mos të mbushet, por jemi të gatshëm që shumë shpejt t’i adoptojmë këto hapësira. Mbi 99% është prezent varianti Delta dhe vetë prania e një numri të madh të infektuarve tregon seriozitetin e këtij varianti. Ne për momentin kemi oksigjen të mjaftueshëm. Barnat që janë listën eseciale i kemi edhe më tutje rendesiviri blihet nga pacientë”, ka shtuar ai.