Punëtoret e Pallatit të Drejtësisë edhe më tutje po përballen me temperatura të larta e mosfunksionim të klimatizimit.
Ndonëse Inspektorati i Punës i dha kohë MPB-së që të sanojë problemet brenda një javë, kjo nuk ka ndodhur.
Ministria e Punëve të Brendshme, ka pasur për detyrë që deri këtë të hënë të ndërhyjë në sanimin e problemeve në klimatizim në Pallatin e Drejtësisë.
Por, kjo nuk ka ndodhur.
Gjendja në këtë objekt, ku janë shumica e institucioneve të drejtësisë, vazhdon të jetë e njëjtë me temperatura të papërballueshme.
Temperaturat brenda hapësirave ku vepron Gjykata Supreme gjatë ditës shkon deri në 33 gradë.
“Gjendja me temperaturat e larta vazhdon përditë bëhet më e papërballueshme, nga mëngjesi në shumicën e zyrave kanë temperatura mbi 30 gardë, gjë që po e rrit rrezikun për pasojat në shëndetin e secilit”, ka thënë zëdhënësja e Supremes, Antigona Uka.
Uka thotë se gjatë kësaj kohë nuk kanë parë që dikush ka punuar në objekt.
“Nuk është që kemi parë duke punuar dhe nuk kemi vrejt asnjë ndryshim në gjendjen e përgjithshme në Gjykatë Supreme, po sa e di as në Gjykata tjera, në Gjykatë Themelore apo në Gjykatën e Apelit”, ka shtuar Uka.
Edhe avokatët tregojnë se temperaturat brenda sallave të gjykimit janë të papërballueshme për punë.
“Është e papranueshme duke e pas parasysh tërë ky investim që është bërë, pra është një temperaturë jashtëzakonisht e lartë, pra ne avokatët i kryejmë seancat por më problematike është për punonjësit e gjykatës dhe gjyqëtarë, pra apeloj që të ndërmerren veprime sa më shpejtë”, ka thënë avokati Nasuf Hasani, raporton RTVDukagjini.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë kthyer përgjigje, njëjtë sikurse Inspektorati i Punës, që nuk është përgjigjur në interesimin e televizionit se cilat do të jenë masat tutje.
Pas gjendjes së krijuar me temperatura të larta, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka udhëzuar kryetarët e Gjykatave që të bëjnë vlerësimin e gjendjes dhe të shkurtojnë orarin e punës.


