Lajme

As Escobar as Kurti ndoshta nuk do të jenë në funksione e pushtet pas një viti

03/13/2024 13:58
nga:Shenoll Muharremi

Situata e krijuar mes Gabriel Escobar dhe Albin Kurtit nuk është e hijshme.

Por të dytë duhet të dijnë që ndoshta sot një vit asnjëri nga ta nuk do të jetë në funksionet që janë sot. Marrëdhëniet e Kosovës dhe SHBA duhet të menaxhohen përtej Escobar dhe Kurtit.

Kosova dhe SHBA do të jetojnë gjatë dhe do të jenë aty. Edhe qytetarët dhe bizneset do vazhdojnë punën e tyre vitet e ardhshme. Për këtë, niveli i komunikimit dhe marrëdhëniet e dy vendeve tejkalojnë personalitetet e këtyre dy funksionarëve të rëndësishëm aktualisht.

SHBA është hisetare në shtetësinë dhe ekzistencën e Republikës së Kosovës, këtë Kurti nuk duhet të harroj. Gjithashtu Kosova është viktimë e jo agresor si regjimi i Serbisë, këtë Escobar duhet të kuptoj.

Edhe kalkulimi i Escobar dhe loja ‘all-in’ kundër Kurtit nuk është e arsyeshme. Pse? Për shkak se VV dhe Kurti vazhdojnë të gëzojnë së paku rreth 35% dhe do të mbesin forca kryesore në Kosovë edhe për një mandat.

Nëse Escobar po mundohet ta lëndoj Kurtin, ka shumë gjasë që Kurti të mbijetoj dhe të jetë aktiv edhe kur Escobar të ketë një punë tjetër pas zgjedhjeve në SHBA. Janë me dhjetëra diplomatë të nivelit të lartë të SHBA dhe BE që kanë qenë pjesë e dialogut dhe nuk janë më aspak faktorë.

Por presioni është mbi Albin Kurtin. Ai duhet të jetë shumë vigjilent dhe i kujdesshëm.

Nëse ai dëshiron të bëhët kaq ‘kapadai’ atëherë duhet fillimisht ta bëjë të zojën Kosovën ta mbrojë vehtën. Aktualisht, sovranitetin dhe integritetin territorial e siguron dhe garanton NATO e drejtuar nga SHBA. Pa SHBA Kosova nuk do të ishte e lirë e as nuk po të ishte shtet i pavarur. Këtë nuk duhet të nënvlerësoj Kurti.

Rrjedhimisht, nesër është një mundësi e mirë që situata të stabilizohet dhe së paku mos të eskaloj më shumë. Kjo, për shkak se, Kosova është një projekt i madh i SHBA-së dhe duhet të jetë një storie suksesi.

Nëse marrëdhëniet mes SHBA dhe Qeverisë së Kosovës eskalojnë më shumë, kjo rrezikon thelbësisht projektin. Kjo është saktësisht një situatë kur personat si Vuciq e përcjellin me kujdes dhe i inkurajon të sulmojnë Kosovën përsëri.

Sërbia e sulmoj Kosovën në Banjskë saktësisht kur Kryeministri i Kosovës ishte shume i izoluar nga jashtë. Secili eskalim i situatës mes SHBA dhe Kosovës është një ftesë për Serbinë të sulmoj Kosovën. Në këtë frymë, Kurti dhe Qerveria e Kosovës duhet të ja dijnë hallin vehtës.

Derisa Kosova të krijoj kapacitetet e saja mbrojtëse dhe qëndrueshmërinë ekonomike, Kosova do të mvaret thellë nga SHBA.

E personat si Escobar sot e përfaqësojnë Washingtonin. Na përlqeu apo jo veprimet, gjuha dhe komunikimi i tij, ai është vet SHBA dhe qeveria e Kosovës duhet të kuptoj ashtu.