Ish-pjesëtari i UÇK-së dhe ish-nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka mbështetur publikisht Artan Behramin në garën për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në një takim me dhjetëra veteranë të UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë ndër të tjera se mbështetja për Artan Behramin nuk është e rastësishme.
“Artanin nuk e përkrahi pahiri. Nuk e përkrahi pahiri, sepse e përkrahi prej aty ku vij”, ka thënë Nasim Haradinaj.
Pos tjerash, Nasim Haradinaj ka thënë se Artan Behrami është shpresa e veteranëve të UÇK-së.
“Edhe me këta unë do të flas si veteran, si shok i luftës, ndërsa me gjeneratën e re të këtij… është shpresa e neve veteranëve, që ne duhet me pas në ta, qysh është Artani. Unë shumë mirë ndihem kur e shoh një brez të vjetër, edhe e shoh një brez që me krenari ka me na përfaqësu”, ka thënë Haradinaj në një video të publikuar nga Behrami në llogarinë e tij në facebook.
Artan Behrami e ka falënderuar Nasim Haradinajn për mbështetjën dhe e ka quajtur hero të gjallë të të gjitha betejave.
“Nasim Haradinaj është hero i gjallë i të gjitha betejave. Nasimi me sakrificën e tij, e ka ridefinuar dashurinë për atdheun dhe e ka vendos në një pikë që është e paarritshme për të gjithë ata që vijnë pas tij”, ka thënë Behrami.
Tutje, Behrami ka thënë se në Kuvendin e Kosovës do të jetë ushtar i Nasim Haradinajt në betejën e Hagës.
“Dhe motivi kryesor pse unë dua të hyj në Parlament është që unë po du me kanë ushtar i Nasim Haradinajt në betejën e Hagës. Po du me kanë ushtar i Nasim Haradinajt në betejën e Hagës, e cila po mundohet që ta ndryshojë historinë”, shtoi më tej Behrami.
https://www.facebook.com/share/v/19PsDWu45p/?mibextid=wwXIfr