Gjykata Themelore në Prizren, më 14 shtator të këtij viti ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-drejtorit të administratës në Prizren, Ilir Baldedaj, i akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Aktgjykimi ishte shpallur nga gjykatësja e Departamentit për Krime të Rënda, e Gjykatës Themelore në Prizren, Ajser Skenderi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i cili rezulton të jetë përpiluar më 27 shtator 2022, thuhet se i akuzuari Baldedaj është liruar nga akuza, pasi që gjykata ka vërtetuar që në veprimet e të akuzuarit nuk formohen elementet esenciale për veprën penale e cila i vihej në barrë.
“Pas analizimit dhe vlerësimit të secilës provë një nga një dhe në lidhshmëri me njëra-tjetrën, pas dëgjimit të dëshmitarëve, provave të administruara materiale, mbrojtjes së dhënë nga ana e të akuzuarit, gjykata ka gjetur dhe ka vërtetuar se në veprimet e të akuzuarit nuk formohen elementet esenciale të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.
Po ashtu, në aktgjykim thuhet se gjykata ia ka falur besimin mbrojtjes së të akuzuarit Baldedaj dhe se e njëjta ishte në përputhshmëri me provat materiale të administruara.
Tutje, sipas këtij aktgjykimi, për të akuzuarin Baldedaj nuk është vërtetuar elementi subjektiv i veprës penale, ku thuhet se nga veprimet e të akuzuarit nuk është vërtetuar dashja për kryerjen e veprës penale.
“Nuk është vërtetuar veprimi-mospveprimi inkriminues i këtu të akuzuarit,nga fakti se parashtrimi i kërkesës dhe mosmarja e pëlqimit vetvetiu nuk mund të jenë veprime inkriminuese, të cilat përbëjnë figurën e veprës penale nëse nuk është vërtetuar dashja direkte, si element esencial i veprës penale, e që në këtë rast nuk është vërtetuar dashja direkte e të akuzuarit, e që në mungesë të këtyre elementeve esenciale që do të përbënin figurën e veprës penale sipas aktakuzës, gjykata gjeti se veprimet e të akuzuarit nuk paraqesin veprime inkriminuese,se në veprimet e tij nuk formohen elementet qenësore të veprës penale, për çka edhe e liroi nga akuza”, thuhet në aktgjykim.
Po ashtu, në aktgjykim thuhet se shpenzimet procedurale bijnë në barrë të mjeteve buxhetore të Gjykatës Themelore në Prizren.
Ndryshe, sipas pikës një të aktakuzës, thuhet se prej muajit mars, e deri në fund të vitit 2016, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.
Tutje, në aktin akuzues thuhet se i akuzuarit Baldedaj ka vepruar në atë mënyrë që pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, e cila është kompetente për shqyrtimin e kërkesave, propozimin, buxhetin për realizimin e kërkesës dhe implementimin e kërkesës, brenda periudhës kohore të cekur më lartë, paraqet kërkesë për shpalljen e tenderit për projektin “Furnizim me Softwer digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit”.
Aktakuza thotë se vlera e tenderit ka qenë 24 mijë e 735 euro, edhe pse ky projekt nuk ka qenë i planifikuar me buxhetin e vitit 2016, duke mos respektuar procedurat e parapara me Ligjin nr. 04/L-145, për organet qeveritare për Shoqërinë e Informacionit, përkatësisht paragrafin 4 dhe 5 të nenit 8 të këtij ligji, me të cilin përcaktohen kushtet e bërjes së investimeve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, projekt ky që prej ditës së implementimit nuk është funksional, me ç’rast Komunës së Prizrenit i shkakton dëm në shumën prej 28 mijë euro.
Në pikën dy të aktakuzës thuhet se gjatë vitit 2017, në Prizren, i akuzuari Baldedaj, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.
Kështu që në atë mënyrë, aktakuza thotë se duke ditur se ekziston Arkiva Qendrore, pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, paraqet kërkesën për shpalljen e tenderit për projektin “Arkiva Elektronike”.
Në akzakuzë thuhet se vlera e këtij projekti ka qenë 72 mijë e 898 euro e 98 centë, duke mos respektuar procedurat e Ligjit nr. 04/L 145, projekt ky jofunksional që nga dita e implementimit, me ç’rast Komunës së Prizrenit i shkaktohet dëm në vlerën prej 72 mijë e 898 euro e 98 centë, ku shuma e përgjithshme e dëmit të shkaktuar është 100 mijë e 898 euro e 98 centë.
Me këto veprime, Ilir Baldedaj akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


