Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka komentuar sot dorëheqjen e dhënë nga kryetari i Degës së Drenasit Sejdi Hoxha.
Kreu i PDK-së tha për Kosovapress se dorëheqja pa paralajmërim e Sejdi Hoxhës nga funksioni i kryetarit të degës së PDK-së në Drenas, nuk është lajm i mirë.
“Megjithëse e respektoj vendimin e tij në plotni, unë e shoh politikën dhe angazhimin politik si një mundësi për bashkëpunim për ti tejkaluar dhe zgjidhur problemet. Në kohë të vështira është i nevojshëm lidershipi dhe guximi për të vepruar, dhe jo e kundërta. Reformat në PDK duhet të kuptohen nga të gjithë si mundësi e forcimit të organikës me bashkimin e energjive të reja për të fituar Kosova dhe pa shikuar shumë fatet tona individuale”, tha Krasniqi për Kosovapress.
Lideri i opozitës e ka falënderuar Sejdi Hoxhën për kontributin, punën e angazhimin e pandalshëm në njërin prej bastioneve më të mëdha elektorale të PDK-së në Kosovë.
Sejdi Hoxha ka dhënë sot dorëheqje nga detyra e kryetarit të Degës së PDK në Drenas, pak ditë pasi nuk u bë pjesë e Kryesisë qendrore. Ai ka thënë se do të vazhdoj angazhimin e tij brenda PDK pavarësisht pozitës ku ndodhet.