Në këtë vit, do të ndahen 1.7 milionë euro për universitetet. Ekspertët e arsimit me qëndrime të ndryshme.
Ishte një ndër premtimet që u bë ndër vite. Mirëpo, përfundimisht nga tetori i këtij viti, arsimi i lartë në Kosovë, do të bëhet pa pagesë.
Kësisoj studentët e nivelit bachelor dhe master, do të lirohen nga shpenzimet.
Kështu bëri të ditur ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, duke sqaruar që për këtë vit do të ndahen 1.7 milionë euro për universitetet.
“Studimet pa pagesë për arsimin e lartë ka qenë një nga zotimet tona, me këtë zotim ata lirohen nga pagesa e tarifave me rastin e regjistrimit dhe po shmangim diskriminimin për shkak të pa barazisë sociale”, deklaroi Nagavci.
Nagavci bëri këtë njoftim në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Një vendim i tillë po cilësohet si i duhur nga profesori universitar, Blerim Rexha.
Vetëm se thekson se duhet të rregullohet mënyra se si do të aplikohet një vendim i tillë.
Veç nëpër universitete publike, Rexha thotë se duhet të shqyrtohet edhe çështja e kolegjeve private.
Në anën tjetër, Gramos Buçinca, nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, thotë se ky vendim nuk do të ndihmojë arsimin e lartë.
Kësisoj, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të tregoj se si do të financohen universitetet publike.
Nga kjo organizatë thonë që arsimi i lartë duhet të jetë falas vetëm për kategoritë e caktuara, të cilat nuk i përballojnë shpenzimet e studimeve.