Sporti

Arsim Thaqi: Kjo humbje do lë pasoja edhe për ndeshjet e radhës, trajneri duhet të marr përgjegjësi pas çdo ndeshje

09/07/2024 16:43
nga:E K

Kosova nuk e nisi aspak mirë ciklin e Nations League duke u mposhtur në “Fadil Vokrri” nga Rumania me rezultat 0-3.

Marin, Dennis Man dhe Dragus shënuan për fitoren e mysafirëve, shkruan GazetaBlic Sport.

Pavarësisht startit të mirë, Kosova pranoi tre gola dhe ishte afër të pranonte edhe dy të tjerë, por që shtylla shpëtoi portën e Aro Muric në të dy rastet.

Në lidhje me performancën e Kosovës, ka folur trajneri kosovar, Arsim Thaqi.

Thaqi për GazetaBlic Sport tha se kjo paraqitje do ketë pasoja edhe për ndeshjet e radhës, pasi sipas tij ishte fillimi i një cikli të ri që startoi keq.

“Pritshmëritë ishin shumë të mëdha, edhe dëshpërimi rrjedhimisht ishte shumë i madh. Është e paqartë dhe e pakuptueshme se si mundet një kombëtare me kaq emra, të mos ketë kreativitet dhe të jenë kaq jashtë detyrave të tyre për ndeshje. Fajtorin më mirë se ata që janë afër kombëtares nuk mundet askush me gjetë. Mendoj që kjo paraqitje do lë pasoja të gjata për kombëtaren tonë, për faktin se ky takim ishte fillimi i një cikli të ri dhe normal pritjet ishin shumë më të mëdha, shpresoj që ndeshja tjetër të jetë shumë më ndryshe sesa kjo”, tha fillimsht Thaqi.

Sipas Thaqit, Rexhbeçaj pati paraqitje pozitive, pavarësisht gabimit të tij në golin e parë të pranuar, duke shtuar se ai dhe Asllani janë asete për Kosovën.

“Mendoj që paraqitja e Rexhbeçajt ishte pozitive, mirëpo nuk mjafton vetëm ai në mesfushë. Duhet edhe lojtarë të tjerë, mendoj se në mesin e fushës me Valon Berishën, Kosova do ta ketë shumë të vështirë të bëjë tranzicione nga mbrojtja në sulm, megjithatë kjo është një çështje që i takon trajnerit për ta vlerësuar. Na duhen lojtarë që kanë më shumë energji dhe më shumë vullnet. Edhe Rexhbeçajt edhe Asllanit i duhet pak adaptim me skuadrën, mirëpo për mua ka vlerësim pozitiv si për Rexhbeçajn si për Asllanin”, shtoi ai.

Thaqi kritikoi trajnerin Foda për mosdeklarimin e tij për media pas humbjes duke thënë se kjo çasje është e papranueshme.

“Mendoj që është gabim mosdeklarimi i tij për media. Trajneri është i pari që duhet të marrë përgjegjësi, jo kapiteni i ekipit që doli dhe e mori përgjegjësinë. Nuk mjafton vetëm të merret përgjegjësia, por duhet reflektuar. Trajneri pas ndeshjes duhet të dal dhe të tregoj çka ka shkuar mirë e çka nuk ka shkuar mirë. Është një pa përgjegjësi e tij, kishte lëshime taktike, nuk më pëlqej çasja e lojtarëve, nuk bënin pressing aty ku duhej dhe nëse këto veprime nuk ndërrmiren atëherë vijnë pasojat”, përfundoi Thaqi për GazetaBlic Sport.