Ballkani arriti suksesin e madh duke u kualifikuar në fazën e grupeve të garës më të re evropiane për klube, Europa Conference League.
Skuadra kosovare mësoi kundërshtarët e radhës, ku fati vendosi që kampioni i Kosovës të jetë në grupin C me skuadra si: Dinamo Zagreb, Viktoria Plzen dhe Astana.
Trajneri kosovar, Arsim Thaqi për GazetaBlic Sport ka komentuar shortin e Conference League duke potencuar se ky grup ishte grupi më i favorshëm për skuadrën kosovare.
Thaqi beson se Ballkani ka forcën që t’i mposht kundërshtarët duke veçuar se vetëm Dinamo Zagreb mund të jetë një skuadër e vështirë duke marrë parasysh historinë e klubit kroat në garat evropiane.
“Normalisht disa prej ekipeve në atë grup kanë luajtur me skuadrat shqiptare dhe të cilat ne i kemi përcjell dhe besoj që i ka përcjell edhe Ballkani. Mendoj që prej grupeve që ishin në short, ky ishte grupi më i favorshëm për Ballkanin. Do të jetë e vështirë që të kalohet grupi, megjithatë janë ekipe që nuk është se Ballkani nuk e ka forcën për t’i mposhtur, varet te kontinuiteti i tyre. Për ne si Kosovë një përfaqësim i tillë në këtë garë është arritje shumë e madhe”, tha fillimisht Thaqi.
“E pamë që Astana luajti me Partizanin e Tiranës dhe nuk kishte shumë dallim në kualitet. Besoj që niveli i Ballkanit në këto gara është shumë i lartë sesa ka qenë më parë pasi ka fituar eksperiencë në këtë drejtim. Kalimi i grupi varet edhe nga rezultatet që ekipet tjera do kenë mes tyre, kuptohet që Dinamo është pretendenti kryesor duke llogaritur rezultatet që ka pasur në të kaluarën. Fakti që Ballkani është kualifikuar besoj që i largon nga presioni dhe do të kenë paraqitje edhe më të mira sesa kanë pasur deri më tani“, përfundoi Thaqi për GazetaBlic Sport.


