Lajme

Arrin në Prishtinë ministri çek, dikur administroi dy komuna në Kosovë

01/23/2024 18:23
nga:Y I

Martin Dvorak, ministër i Çështjeve të BE-së në qeverinë çeke, ka mbërritur në Kosovë.

Përmes një postimi në platformën X, Dvorak ka treguar se do të ketë takime me krerët e shtetit, nisur nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Ndër të tjera, ai tregon se në të kaluarën në Kosovë qenë administrator i Komunës së Istogut dhe të Gjakovës derisa vendi drejtohej nga UNMIK-u.

“Kosova është një nga vendet që synon integrimin në Bashkimin Evropian. Unë vetë kam punuar këtu më shumë se njëzet vjet më parë si administrator i dy komunave në shërbimet e OKB-së. Tani jam kthyer në një rol të ri dhe mezi pres të takoj miqtë e mi. Mirëdita Kosovë”, shkroi ministri Dvorak.

Mirëseardhje ministrit çek i ka dëshiruar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, të cilin e quajti “mik”, duke thënë se mezi pret të takohet me të.

Ministri Dvorak është mbështetës i vazhdueshëm i Kosovës, ndërsa bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë i kishte cilësuar të duhura.