Edhe tre persona të tjerë janë arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin që të njëjtit janë përfshirë në vrasjen e djeshme në Vushtrri, ku një person mbet i vrarë e dy të tjerë të plagosur.
Numri i të arrestuarve ka shkuar në pesë.
Ndërkohë, me urdhër të prokurorit, të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.
“Gjatë hetimeve të rastit janë identifikuar edhe tre persona te tjerë, te cilët kanë qenë të përfshirë në këtë rast. Me urdhër të prokurorit, personave në fjalë ju është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, trupi i pajetë i viktimës (27-vjeçar) është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
Policia thotë se lidhur me rastin, hetimet janë duke vazhduar nga Sektori Rajonal i Hetimeve DRP, Mitrovicë e Jugut, si dhe në bashkëpunim me prokurorin.
Vrasja ka ndodhur dje, rreth orës 16:00 në rrugën “Mehmet Konjuhi” në Vushtrri. Pas të shtënave me armë zjarri, njësitë policore kanë arritur në vendin e ngjarjes, ku aty është gjetur personi i vrarë dhe dy të tjerë të plagosur.
Të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Vushtrrisë, më pas për trajtim të mëtejshëm janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).


