Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, në mandatin e tij të dytë si kryetar i kësaj komune pritet të qeverisë bashkë me PDK-në dhe PSHDK-në.
Zyrtar të këtyre partive kanë konfirmuar se marrëveshja është arritur më herët dhe tani po presin zbatimin e saj.
Në fillim të kësaj jave, ish kandidatja e PDK-së për kryetare të kësaj komune, Arbënesha Kuçi është zgjedhur kryesuese e kuvendit komunal si pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje mes AAK-së dhe PDK-së.
Kryetari i degës së PDK-së në Gjakovë, njëheresh deputet i Kuvendit të Kosovës, Hajdar Beqa ka thënë për Indeksonline se PDK pritet t’i ketë edhe tri drejtori.
“Përveç kryesueses, PDK do t’i ketë edhe tri drejtori, siç është drejtoria e shëndetësisë, bujqësisë dhe Inspektoratit. Gjithçka është ne rregull sa i përket marrëveshjes, e kemi shumicën e nevojshme në asamble dhe tani është koha për punë e në shërbim të qytetarëve të Gjakovës”, ka thënë Beqa.
Pa pushtet nuk do të mbetet as PSHDK.
Ish Kandidati i kësaj partie për kryetar të Gjakovës, Ferdinand Kolaj, ka konfirmuar se do t’i kenë tri drejtori.
“Në këtë mandat i kemi tre drejtori, zhvillimin ekonomik, gjeodezi kadastër dhe pronë si dhe administratën publike”, ka thënë Kolaj.
Më tej ai ka bërë me dije se ende asnjë drejtor nuk është emëruar.
Ai ka thënë se nuk është në dijeni, nëse do të ketë edhe ndonjë partner tjetër qeverisës.
PSHDK dhe PDK e kishin mbështetur Ardian Gjinin në balotazh kundrejt Mimoza Kusari-Liles së Vetëvendosjes.