Lajme

Arrestohet personi i kërkuar në Ferizaj

12/09/2025 19:54
nga:N K

Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) në Ferizaj ka arrestuar mbrëmjen e sotme një person të kërkuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt.

Policia njofton se rreth orës 18:00, ka pranuar informacionin se i kërkuari F.M. (36 vjeç) ndodhej në një klub fitnesi në qytet. Ai ishte në kërkim me urdhëresë aktive për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar të armëve”.

Sipas policisë, pas marrjes së informacionit në terren janë angazhuar tri ekipe të NJRSH-së, të cilat kanë realizuar me sukses arrestimin e tij.

Pas përfundimit të procedurave dhe kompletimit të dokumentacionit, i arrestuari është dërguar në vuajtje të dënimit prej 2 vjet e 6 muaj. Policia Rajonale e Ferizajt ka ritheksuar përkushtimin për zbatimin e urdhëresave të gjykatave dhe arrestimin e personave të dënuar apo në kërkim.