Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për fajde dhe detyrim, gjatë një operacioni të realizuar më 22 tetor 2026 në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
“Zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, më 22 tetor 2026 është realizuar operacioni policor për arrestimin e një personi të dyshuar, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale ‘fajdeja’ dhe ‘detyrimi’.
Gjatë veprimeve operative të ndërmarra, është arrestuar personi i dyshuar L. K. I dyshuari është arrestuar në flagrancë duke pranuar mjete nga viktima si interes i fajdesë.
I dyshuari, në vazhdimësi ka ushtruar presion ndaj viktimës, me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e ‘fajdesë’, duke e detyruar viktimën të veprojë në dëm të pasurisë se tij, duke i shkaktuar me këtë rast dëme të konsiderueshme materiale viktimës.
Ndaj të dyshuarit, në koordinim me prokurorin e PTH-Prishtinë, janë duke vazhduar veprimet tjera procedurale dhe ligjore.”, thuhet në njoftimin e policisë.


