Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se sot rreth orës 11:00, gjatë kalimit transit nëpër Serbi, është ndaluar dhe arrestuar nga policia serbe shtetasi i Kosovës, Mit’hat Lozhani, duke theksuar se ky nuk është një rast i izoluar.
Sipas Kocit, arrestimet e përsëritura të qytetarëve të Kosovës gjatë transitit nëpër territorin e Serbisë po krijojnë pasiguri reale për të gjithë udhëtarët.
“Ky nuk është rast i izoluar. Arrestimet e shtetasve të Kosovës gjatë transitit nëpër Serbi po përsëriten dhe kjo po krijon pasiguri reale për këdo që udhëton përmes atij territori”, ka deklaruar ai.
Ai ka kërkuar që këto ndalime të ndalen menjëherë, duke apeluar për reagim institucional nga ana e shtetit të Kosovës. “Shteti i Kosovës duhet ta trajtojë këtë si çështje serioze të sigurisë së qytetarëve, duke kërkuar edhe ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare”, ka theksuar Koci.
Avokati ka kërkuar gjithashtu veprim më të fuqishëm diplomatik, duke mos përjashtuar edhe masa konkrete politike.
“Deri atëherë, diplomacia jonë duhet të reagojë fuqishëm, pa përjashtuar masa konkrete politike, përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë”, është shprehur ai.
Koci ka bërë të ditur se nga ana e tij, në cilësinë e avokatit, po ndërmerren të gjitha veprimet e mundshme ligjore, por ka theksuar se kjo nuk mjafton. “Nga ana ime në cilësinë e avokatit, po bëhet maksimumi i mundshëm. Megjithatë, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual. Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, ka përfunduar ai.


