Lajme

Arrestohet në Vërmicë një shtetas i Shqipërisë, i dyshuar për drogën në Sfërkë të Klinës

7 ditë më parë
nga:Y I

Shtatorin e vitit të kaluar, policia pati gjetur një plantacion narkotikësh në fshatin Sferkë të Klinës.

Në atë rast u pat konfiskuar mbi 1 ton drogë e llojit kanabis, vlera e të cilit shkonte në mbi 5 milionë euro.

E të shtunën (5 prill), policia ka arritur të arrestojë një të dyshuar, shtetas i Shqipërisë, për këtë rast.

Rastin e ka konfirmuar Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.

“Është ndaluar një person në Vërmicë, i cili dyshohet për kultivim të narkotikëve, përkatësisht për kultivimin e mbi 3 mijë kg narkotik në fshatin Sfërkë të Klinës. Është shtetas i Republikës së Shqipërisë. I njëjti është ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndërkohë prokurori i shtetit është duke e përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Nikçi për Klankosova.tv.