Lajme

Arrestohet kameramani i “Betimi për Drejtësi”, AGK: U mbajt dhunshëm nga punëtorët e lokalit në prani të një prokurori

07/09/2024 14:37
nga:G B

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se është arrestuar dhe shoqëruar në polici kameramani i “Betimi për Drejtësi”, Arianit Tahiri.

AGK-ja është shprehur e alarmuar me arrestimin, teksa ka bërë të ditur se Tahiri ka qenë i shoqëruar bashkë me gazetaren Alberta Hashani duke realizuar një hulumtim për dyshimet për keqpërdorim të detyrë gjatë orarit zyrtar të disa prokurorëve.

“Tahiri ka qenë duke xhiruar në një lokal publik kur i është ndaluar xhirimi nga punëtorët e lokalit dhe së paku një prokuror që ka qenë aty. Prokurori ka ftuar policinë në lokal dhe derisa ka arritur policia, kameramani Tahiri është mbajtur dhunshëm në lokal nga punëtorët, duke ia privuar lirinë kundërligjshëm”.

“Pas arritjes së Policisë në lokal, zyrtarët policorë ia kanë konfiskuar kameramanit edhe telefonin si mjet i punës, gjë që ndalohet me ligj dhe e kanë shoqëruar në Stacionin Policor për deklaratë”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Më tej, AGK-ja tha se e dënon fuqishëm sjelljen e Policisë së Kosovës, teksa kërkoi lirimin e menjëhershëm të Tahirit, lirimin e mjeteve të punës di dhe dhënien e sqarimeve publikisht në lidhje me incidentin.