Lajme

Arrestohet i shumëkërkuari Besim Hajdari, ndodhej në motel me një të mitur (VIDEO)

04/16/2021 23:43
nga:Gazeta Blic

Policia e Kosovës e ka arrestuar gjatë ditës së sotme një person të dyshuar me rrezikshmëri të lartë.

Bëhet fjalë për Besim Hajdarin, i njohur me nofkën “Ciprra”, i cili ishte në kërkim që një kohë të gjatë.

Klan Kosova merr vesh se i njëjti gjatë arrestimit ka qenë në një nga vilat e një moteli, që gjendet në rrugën Podujevë-Merdarë, me një të mitur të moshës 17 vjeçare e cila besohet se aty ka qenë pa dëshirën e saj.

Hajdari, që ka qenë i shpallur në kërkim nga policia, është i dyshuar për shumë vepra penale ku përfshihen edhe “Tentim vrasje”, “Therrje” dhe “Kërcënim”.

Klani ka mësuar poashtu se Hajdari pas arrestimit është dërguar për trajtim mjekësor pasi është lënduar gjatë tentimit për të ikur nga dritarja e banjos së vilës në të cilën gjendej. Megjithatë tentativa e tij për të ikur ka dështuar, pasi ai është kapur nga policia.

Pronari i motelit ka thënë për televizionin se nuk e ka ditur se Besim Hajdari ka qenë në njërën nga vilat e këtij biznesi që është në pronësi të tij dhe se nuk ka njohuri për veprimtarinë e tij.

Ai ka deklaruar po ashtu se nuk ka pasë informacione se një klient i biznesit të tij ka qenë i shoqëruar me një të mitur pa dëshirën e saj.

Policia deri tani vetëm e ka konfirmuar arrestimin e një personi që është konsideruar me rrezikshmëri të lartë dhe i cili ka qenë në kërkim, duke mos dhënë detaje të tjera.