Lajme

Arrestohet edhe i dyshuari i tretë për grabitjen e argjendarisë në Suharekë

11/26/2023 12:43
nga:G B

Policia e Kosovës (PK) ka arrestuar edhe një të dyshuar lidhur me grabitjen që ndodhi më 22 nëntor në një argjendari në Suharekë, ku u plagos një polic dhe u lëndua një tjetër.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, prokurorja e rastit Ervehe Gashi.

Ndryshe, të shtunën janë arrestuar edhe dy të dyshuar tjerë, të cilët dyshohen se kanë ndihmuar në grabitjen e argjendarisë në Suharekë.

Të premten, Policia njoftoi se ka gjetur veturën e cila dyshohet se është përdorur dy ditë më parë nga të dyshuarit për grabitje në argjendarinë “Diakos” në Komunën e Suharekës.

Ditën kur ndodhi grabitja, u njoftua se një polic u plagos dhe një tjetër mori lëndime.

Shuma e arit të grabitur konsiderohet të jetë 250 mijë euro, grabitje kjo që ndodhi pasditën e së mërkurës në një argjendari në Suharekë.

“Betimi për Drejtësi” kishte publikuar pamjet nga momenti i grabitjes, ku ishin shkrepur edhe armët nga hajnat dhe policia gjatë grabtijes që po ndodhte në qendër të qytetit të Suharekës.