Policia e Kosovës (PK) njofton se është arrestuar A.B (23-vjeçare), pasi e njëjta dyshohet se e kapi për fyti dhe e shtyu mjeken në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, duke i shkaktuar asaj lëndime të lehta trupore.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se rasti kishte ndodhur mbrëmjen e së enjtes, ku thuhet se e dyshuara kishte shfaqur pakënaqësi rreth kontrollës mjekësore që viktima ia kishte bërë nënës së të dyshuarës
“Më datë 10.08.2023, rreth orës 19:50, Policia në Suharekë ka pranuar një informatë se në QKMF-Suharekë, ka probleme me një pacient. Patrulla policore menjëherë ka shkuar në QKMF dhe ka kontaktuar me viktimën (mjeken), nga e cila është kuptuar se një zonjë e panjohur e kishte dërguar për kontrolle mjekësore nënën e saj por pasi që mjekja e kishte kontrolluar pacienten dhe i kishte caktuar terapinë, e dyshuara e panjohur, i kishte thënë mjekes se ti nuk bëre asgjë. Në këto rrethana mjekja se bashku me të dyshuarën dalin nga zyra për të shkuar tek zyra e infermierëve e për t’u konsultuar për terapinë e pacientes të cilën ia kishte shkruar , aty e dyshuara e kap mjeken për fyti dhe e shtyn duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftim.
Policia njofton se pas këtij veprimi, e dyshuara ishte larguar në drejtim të panjohur, ndërsa policia menjëherë ka fillua kërkimin e të dyshuarës.
“Sektori i hetimeve i stacionit policor në Suharekë, sot më 11.08.2023, pas një pune intensive në terren kanë arritur ta identifikojnë të dyshuarën me inicialet A. B., e datëlindjes 14.06.2000, femër/shqiptare/kosovare e cila është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se pas intervistimit, është njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij e dyshuara ndalet në ndalim policor për 48 orë.


