Policia e Kosovës (PK) njofton se janë arrestuar D.H (17-vjeç), D.J (17-vjeç) dhe A.G (17-vjeç), nën dyshimin për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Policia njofton se arrestimi i të dyshuarve u bë pasditen e sotme nga njësiti i hetimeve të përgjithshme të rajonit të Prishtinës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në njoftim, thuhet se të dyshuarit u arrestuan lidhur me rastin “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, të ndodhur më 16 maj 2023, rreth orës 22:30, në rrugën “Knjaz Millosh” në fshatin Uglar.
“Identifikimi i të dyshuarve si dhe lokalizimi i vendndodhjes së tyre ka ardhur si rezultat i një pune të shkëlqyer hetimore nga ana e policisë të cilët me një ekspertizë të thellë trajtuan të gjitha informacionet dhe evidencat e gjetura, të cilat më pas quan drejt realizimit të operacionit dhe kapjen e personave të dyshuar, të mitur; D. H, mashkull, 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, D. J, mashkull, 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, A. G, mashkull, 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilët dyshohet me bazë të jenë të përfshirë në rastin në fjalë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se arrestimi i të dyshuarve është përcjellë edhe me gjetjen dhe sekuestrimin e një revoleje me gaz, e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rast.
“Ndërkohë që policia ka kryer arrestimin, me aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit të dyshuarit i ka dërguar në mbajtje prej 24 orësh, përderisa ka iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës”, njofton Policia.


