Lajme

Arrestohen tre persona në Prishtinë, njëri për financim të terrorizmit

01/08/2025 19:48
nga:G C

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar tri operacione të befasishme në tri lokacione të ndara në Prishtinë, ku janë arrestuar tre persona me urdhër-arreste aktive për vepra të rënda penale.

Sipas policisë, operacioni i parë u zhvillua rreth orës 11:00 në rrugën “Rexhep Luci”, ku u lokalizua i dyshuar për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

“Operacioni i parë u zhvillua rreth orës 11:00, në rrugën “Rexhep Luci“ në Prishtinë, me ç’ rast njësitet policore pasi lokalizuan të dyshuarin i cili ishte i dënuar me shtatë muaj burg efektiv për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor“ reaguan me shpejtësi duke arrestuar të njëjtin”.

“Operacioni i dytë u ndërmor rreth orës 14:00, në rrugën ‘Xheladin Hana’ në Prishtinë, ku pas marrjes së informacioneve në rrugë operative, zyrtarët policor arritën të lokalizojnë dhe të kapin të dyshuarën e dënuar me tetë vite burgim efektiv për veprat penale ‘Shpërlarja e parave’ si dhe ‘Financimi i terrorizmit’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, policia bëri të ditur se në operacionin e tretë u kap në befasi i dyshuari i cili ishte i dënuar me 3 vjet burgim efektiv për “mashtrim”.

“Operacioni i tretë zuri vend rreth orës 15:00, në rrugën ‘Nazim Gafurri’ në Prishtinë, me ç’ rast, pasi lokalizuan vendndodhjen, oficerët policor kapën në befasi të dyshuarin i cili ishte i dënuar me 3 vite burg efektiv për veprën penale ‘Mashtrimi’”.

“Të gjithë të arrestuarit, në përputhje me vendimet e gjykatës, u transferuan në qendrat përkatëse për vuajtjen e dënimit”, thuhet në njoftim.