Policia e Kosovës (PK) njofton se tetë persona janë arrestuar në fshatin Cepan të Ranillugut, nën dyshimin se kanë rrëmbyer një shtetas të Serbisë, i cili i kishte mashtruar duke u marrë para për rregullimin e vizave dhe pasaportave.
Lajmi u bë i ditur përmes raportit 24 orësh të policisë, ku thuhet se rasti ka ndodhur të martën, rreth orës 19:22, ku thuhet se në mbajtje u dërguan tetë të dyshuarit bashkë me shtetasin serb, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Kanë arrestuar tetë të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin se të njëjtit në bashkë-veprim e kanë rrëmbyer viktimën mashkull shtetas të Serbisë për shkak se i njëjti i kishte mashtruar duke u marrë para me premtimin se do tu rregullojë disa viza dhe pasaporta të Serbisë”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, tetë të dyshuarit për rrëmbim si dhe i dyshuari për mashtrim janë dërguar në mbajtje.


