Lajme

Arrestohen prindërit e 2-vjeçarit shqiptar që u sulmua për vdekje në Greqi

12/06/2025 20:04
nga:Sh R

Zakynthos në Greqi është e tronditur nga vdekja e një djali 2-vjeçar shqiptar në fshatin Agios Leontas, pasi u sulmua nga qeni PitBull i familjes.

Autoritetet kompetente janë mobilizuar për të hetuar rrethanat e sulmit, ndërsa prindërit po mbahen në paraburgim.

Për rastin e rëndë  paraprakisht ka folur babi i fëmijës.

“Vajza ime e vogël më thirri dhe unë vrapova shpejt, kjo është e gjitha që mbaj mend. Djali im i vogël iku”, tha babai i djalit për Alpha me zërin që i dridhej.

Sipas informacioneve nga ERT, çifti, i cili ka edhe dy fëmijë të tjerë, ishte nisur për të blerë furnizime për shtëpinë dhe kur u kthyen pak pas mesditës, djali i vogël i shpëtoi vëmendjes dhe shkoi drejt pemës ku ishte lidhur qeni, i cila e sulmoi duke i shkaktuar lëndime të rënda.

“Qeni ishte endacak, e kishin lëshuar dhe e morëm sepse njerëzit në fshat bërtisnin se do t’i hante kafshët. E mora që të kishte një vend për të qëndruar dhe hëngri fëmijën tim. Fëmija më pa, më buzëqeshi dhe mbylli sytë”, shtoi babai i fëmijës.

Prindërit e fëmijës e çuan atë në Spitalin e Përgjithshëm të Zakynthos, ku mjekët luftuan për ta sjellë në jetë, por për fat të keq nuk ia dolën dot.