Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, respektivisht Njësiti për Hetime të Përgjithshme, ka realizuar një operacion që ka rezultuar me arrestimin e katër personave te dyshuar për veprën Detyrim dhe kanosje.
Rasti ka ndodhur më datën 28.11.2020 në lagjen Dardania në Prishtinë, ku personat e dyshuar , pas një mosmarrëveshje (për lojëra fati), kanë kanosur me armë dhe privuar nga liria dy persona për rreth katër orë .
Që nga dita e raportimit hetuesit policor të rajonit të Prishtinës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet operative, ato të kërkimit si dhe të hetimit, me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të personave të dyshuar.
Aksioni i realizuar sot nga njësiti i Hetimeve te Përgjithshme, ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar:
-A.E. mashkull 34 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,
-A.G. mashkull 41 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,
-L.A. mashkull 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe
-B.T. mashkull 37 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,
Pjesë e operacionit ka qenë edhe kontrolli në dy lokacione( Vushtrri dhe Prishtinë), ku përveç sigurimit të provave që lidhen me rastet, policia ka sekuestruar edhe katër aparate të lojërave të fatit.
Personat e arrestuar dyshohen për veprat detyrim, privim i kundërligjshëm i lirisë, kanosje, lëndim trupor, organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm si dhe armëmbajtje pa leje.
Pas intervistimit personat e dyshuar me aktvendim te prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
LEXO EDHE:
5 vdekje, 761 të shëruar dhe 506 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit në vend