Policia e Kosovës, i ka arrestuar dy persona të dyshuar për vrasje në tentativë të ndodhur më 13 janar 2023, në rrugën “Bajram Bahtiri”, në Prishtinë.
Sipas policisë, i dyshuar për këtë rast është edhe një person i cili është ende në arrati.
“Arrestimi i të dyshuarve erdhi si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme operativo-policore me ç’ rast policia identifikoi tre të dyshuar, dy nga të cilët janë arrestuar ndërkaq i treti është ende në arrati”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në lidhje me këtë rast policia ka kryer edhe tri bastisje në tre lokacione të ndryshme.
“Pjesë e operacionit policor për arrestimin e të dyshuarve ishin edhe tri bastisje të kryera në tri lokacione të ndryshme të piketuara si vendndodhje e të dyshuarve. Ndërkohë që janë kryer veprimet hetimore të kësaj faze në drejtim të veprave penale “Vrasje në tentativë” si dhe” Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës”, të dyshuarit: D. K, mashkull, 23 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe D. A, mashkull, 32 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, për tu proceduar më tej.


