Policia e Kosovës (PK) njofton se në dy raste të ndryshme të të shtënave në ahengje në Vushtrri janë konfiskuar dy armë dhe janë arrestuar dy persona.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga policia, ku thuhet se rasti ka ndodhur të shtunën.
“Në orët e mbrëmjes së datës 06 gusht 2022, njësitet policore në Vushtrri kanë reaguar në dy lokacione ku kishte informacione për të shtëna me armë në ahengje. Informata për të shtëna ishin raportuar në dy lokacione të ndryshme në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë, si rezultat i reagimit të shpejtë të njësive policore ka rezultuar që në dy lokacionet të konfiskohen dy armë të llojit pistoleta, një (1) fishek dhe katër (4) gëzhoja, të cilat dyshohet se janë përdorur në ahengje familjare”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, në cilësi të të dyshuarve janë arrestuar dy persona, të cilët dyshohet se kanë përdorur armët në ahengje, ndërsa pas procedurave intervistuese dy të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë liruar për procedurë të rregullt.
“Ndaj tyre janë iniciuar raste për veprën penale ‘përdorim i armës’ dhe ‘mbajtje në pronësi , kontroll të paautorizuar të armës”, thuhet tutje.


