7 persona janë arrestuar në flagrancë, 1 është proceduar penalisht dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim për ushtrim prostitucioni dhe shfrytëzim prostitucioni nga policia e Elbasanit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Fee” u vunë në pranga shtetasit kolumbiane A. B., 22 vjeç, dhe L. B., 19 vjeçe, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”; shtetaset spanjolle S. F., 36 vjeçe, dhe M. C., 32 vjeçe, shtetaset kolumbiane P. S., 27 vjeçe, dhe Y. A., 29 vjeçe, si dhe shtetasja venezueliane A. R., 38 vjeçe, për veprën penale “prostitucioni”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen venezueliane Y. O., 31 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori dhe u shpallën në kërkim shtetasit peruane F. G., 23 vjeçe, dhe J. G., 44 vjeç, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Gjatë operacionit, në lagje të ndryshme të Elbasanit, këto shtetas kishin përshtatur për shfrytëzim prostitucioni ambiente të marrë me qira, si dhe duke u promovuar në faqe online ofronin favore seksuale kundrejt pagesave.
Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 43 000 lekë, 2 780 euro, që dyshohen se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale, si dhe 9 celularë.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.


